Më 22 maj të vitit 1984 të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Veç të ridënuarit dhe të pushkatuarit ishin té tjerë, gjithmonë té rinj..
Dy revolta, të vetmet në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, që i bëjnë nder vendit, kujtesës historike, njohjes së rrënjëve të demokracisë, që treguan se shqiptarët iu kundërvunë së keqes në kulmin e saj, pse jo, dhe me një ëndërr europiane.
Në kujtim të saj, si një përvojë sa tragjike, po aq dhe e madhërishme, si një mësim i lartë morali, emblemë e kundërshtisë kolektive, po japim pjesë nga vepra “Ferri i çarë”, ku shkrimtari Visar Zhiti, i burgosur politik në Qafë-Bari në atë kohë, përshkruan si një dëshmitar revoltën, tmerrin, dhunën dhe absurdin makabër të saj.