COM_JFBCONNECT_LOGIN_POPUP

ALBANIA NEWS

Switch to desktop Register Login

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar

27 Janar, Dita e Kujtesës! Në shumë vende evropiane sot shënohet Dita e Kujtesës, për të mos harruar shfarosjen naziste të gjashtë milion hebrenjve. Në vitin 2005, OKB e caktoi datën 27 Janar – datë e çlirimit të kampit të Aushvicit – si një Ditë Ndërkombëtare në kujtim të Shoahut, për t’i nderuar gjashtë milion hebrenjtë dhe miliona të tjerët që u vranë nga nazistët gjatë luftës. Poeti i njohur shqiptar Visar Zhiti i dedikon kësaj dite poezinë “Kjo ditë e gjithë për të kujtuar..”
27 Janar, Dita e Kujtesës
Kjo ditë e gjithë për të kujtuar...
                                   për V. M. Solomon


Dhe nuk është lojë, megjithëse lodrat mbetën vetëm,
të trishtura, pa fëmijët, të shkelura, të thyera
dhe një e qarë nëpër erë, pa gojë
e lotët pa sy,
përzier me shiun që nuk binte, por rrinte pezull
si ankthi.
Borsalina të flakura më tej
si urtësia e pleqve, të çara
dhe heshtje e zezë dhe qen këmbëthyer,
gjysma macesh, copra pasqyrash,
flatra zogjsh, ëndrrash e librash...

Në rrugën e zbrazët një këpucë e hedhur gruaje,
e kuqe si gjaku, si zemra... Ku po e çojnë jetën?


Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz!
Ju - andej harrimit,
këtej harrimit – ju.
Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Nëpër natë.
Në cilën natë, në atë që s’ka yje,
por tela me gjëmba. Në natën e fundit,
ku nuk zbardh më…

Ju – andej harrimit,
Këtej harrimit – ju. Në mes ndarja
si një e çarë fatale e botës.
Rreshti i gjatë, shumë i gjatë,
gjysma në të dikurshmen
dhe gjysma në të ardhmen dhe

nuk mjafton një ditë për të kujtuar...


Një lamtumirë
që s’mbaron kurrë
lëkundet gjithmonë si dorë e këputur,
ja, u shndërrua në kockë, në mermer.

Këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë. Mos
janë këpucët e misterit, të padurimit,
të frikës së shndërruar në guxim? Ja, dalin
nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba,
ku po shkoni, mijëra këpucë, se si jeni,
si ulërimat, nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,
Pirgje leckash të gjalla, por krimi
është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa të vegjël janë
ata që e kryen, më pak se njëra nga këpucët, se guriçka
brenda tyre...

Tymi i kobshëm i kufomave
e shton kollën mbytëse kudo, te të gjitha rrugët
e dyert. Kolliten shkallët, dritaret, heshtja,
automatiku i zi, kujtesa, pemët, librat, pendesa...
Dhe ai sapun makabër
si mund t’i lajë duart e historisë?

Ti shikon unazat
e mijëra gishtrinjve të prerë,
derdhen vezullimet tani si ai shiu i ngrirë që nuk binte…
Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë
për në takimin
që s’do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet,
çohen nga balta e vdekjes dhe kërkojnë mishin
që ua zhvatën,
duan pyllin e djegur të flokëve. Dritën
e syve. Kujtesën. Pa kujtesë bota është
vetëm një kafkë.
Pse heshtin fjalët, po kalben
bashkë me buzët e kohës,
puthja e mortjes mbulon brigjet
dhe miliarda këpucë bosh ecin mbrapsht
drejt harresës,
fundosen në gropat ku kanë hedhur të gjalla
ngjarjet e zbathura.

Skeletet e jetës
ulërijnë për atë pjesë jete të pakryer
më fort se sirenat ngjethëse të atyre trenave të egër
që s’ndalnin gjëkundi,
veçse në stacionin e fundit të vdekjes. Por
ka prapë stacione, pa epidemi, ai i ndërgjegjeve
së popujve, stacion tjetër i fantazmave...
ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i tmerrshëm
i kujtesës.

S’ka më rreshta, as rregull,
turma ngjarjesh, mëkatesh,
gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave, se ç’lëviz
poshtë dheut, hapen gropat vetë
jam dhe unë ndanë tyre,
shpirt,
s’kam kohë të ringjallem, vërtitem në vorbulla gjyqesh,
jo në atë të fundit,
kërkoj pallton time të shqyer,
e ç’i duhet më shumë një fantazme,
por e ka veshur vrasësi im, jo se ka më ftohtë,
por ai ka përvetësuar dhe fatin tim…

E ku mjafton një ditë për të kujtuar,
nuk i nxë dot të gjitha,
aq më pak një jetë. As harresa
nuk mjafton, s’mundet, nuk i përpin dot të gjitha,
nuk mjafton as vdekja.


Ç’po shkrin kështu, çasti? Pika të nxehta kohe,
pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza tani
dhe flakëza, duke mos gjetur mbrojtje mes qerpikëve,
mërgon nëpër yjet e largët.


Romë, 27. 01. 2010

Tiranë, janar, 2012. 

Copyright © 2012 Albania News - Registrato al Tribunale di Modena al numero 1973 del 30-09-2009

Top Versione Desktop