Shqiptarët në zhvillim e sipër
Me vendim nr. 912 të dates 21 dhjetor 2011 “PËR NXJERRJEN NGA QARKULLIMI TË PASAPORTAVE JOBIOMETRIKE PËRPARA MBARIMIT TË AFATIT TË VLEFSHMËRISË”, qeveria shqiptare urdhëronte
1. Pasaportat jobiometrike do të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri në datën 1 mars 2012.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Dhe ashtu ndodhte. Në datë 1 mars policitë e huaja kufitare ndalnin shtetasit shqiptarë pa pashaporta biometrike. Ndalnin, ama, jo vetëm ata që udhëtonin nëpër shtete evropiane, po edhe ata që po udhëtonin drejt atdheut.
Problemi ishte shumë i thjeshtë: ndalej qarkullimi i kujtdo që kishte vetëm pasaportën e vjetër. Në dy mars Timatic, një shoqëri hollandeze që garanton komunikimin mes policive kufitareve, shoqërivë të fluturimit e shteteve trumbetonte lajmin që pasaporta shqiptare jo biometrike nuk është dokument udhëtimi. Vlen, për të qënë i qartë, më pak se një çertifikatë personale.
Pala shqiptare përsëriste se shqiptarët nuk mund të dalin nga Shqipëria, por mund të futen, Problemi ama ishte, e është akoma më kompleks se sa e paraqiet ana shqiptare. Nëse një dokument është i pavlefshëm është i pavlefshëm, e nuk ka rëndësi nëse po hyn apo po del. Shqiptari i Italisë raportonte për ndaljet e para. Shqiptarët ktheheshin mbrapsht në shumë aeroporte evropiane, ndërsa në të njëjtën ditë zëvendësministri i Brendshëm shqiptar deklaronte se dokumenti i vjetër është i vlefshëm për të hyrë në Shqipëri. Pra, nëse në ndonjë farë mënyre ja del mbarë e mbërrin deri në Rinas, bujrum, hajde brenda se s’i lëmë çunat jashtë ne.
Në ditët në vijim shqiptarët ngeleshin përsëri në mëshirë të fatit e të policisë kufitare. Natyrisht që ktheheshin mbrapsht të gjitha ata shqiptarë që udhëtonin drejt vendeve që nuk ishin Shqipëria, por hasnin vështirësi edhe ata që udhëtonin drejt atdheut. Diku të linin të kaloje, diku jo. E gjithë kjo vendosej nga zemërgjerësia e ndonjë polici kufitar që thyente kërkesën e shtetit shqiptar, e jo në sajë të ndonjë vizion të përgjithshëm. Vetëm pas pak ditësh, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, lajmëronte që duke marrë parasysh shqetësimet dhe problematikat e ngritura nga komuniteti shqiptar jashtë, përcaktohet si më poshtë: nxirret urdhëri nr.1284/2, datë 28.02.2012, në zbatim të Vendimit nr.913 datë 21.12.2011 “Për nxjerrjen nga qarkullimi të pasaportave jobiometrike përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë”,
– Duke filluar nga data 01.03.2011, pra 00:01, shtetasit shqiptarë të cilët kanë në përdorim pasaporta jobiometrike, nuk lejohen që të udhëtojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
– Për arsye të mos pajisjes me pasaportë biometrike shtetasit shqiptarë të lejohen që të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me pasaportë jobiometrike
Kjo kërkesë e shtetit shqiptar transmetohej nga ambasada jonë në Itali në datë 5 mars, e nga ambasada jonë në Danimarkë, me sa duket, në datë 19 mars. Nuk kuptohej se pse, nëse vendimi ishte i datës 28 shkurt, duhej pritur kaq shumë. Nuk kuptohet as pse policitë e huaja duhet të pranojnë një dokument që, siç thotë vendimi i mëparshëm, është e pavlefshëm si mjet udhëtimi.
Në Itali pasaporta mund të bëhet në ambasadën e Romë-s e në konsullatën e Milano-s e kushton 109 euro, plus shpenëzime udhëtimi. Për të aplikuar për këtë pasaportë në Milano ama, duhet bërë prenotimi i takimit me telefon: telefon që, siç thotë faqja e konsullatës, merret te numri 8959697901. Vazhdon, pa gërmën “ë”: sherbimi i prenotimit te takimeve dhe i informacioneve eshte me pagese. Kostoja maksimale e telefonates, pa tvsh, eshte 1 euro nga operatoret fiks, 12,91 cent ne pergjijge dhe 1,30 euro per minute nga operatoret Tim dhe Wind, dhe 12,91 cent ne pergjigje dhe 1,50 euro ne minute nga operatoret Vodafon dhe H3G . Sherbimi eshte i rezervuar vetem per personat ne moshe madhore.…
Pasaporta biometrike është shantazhi i fundit që qeveria shqiptare mund tu bëjë qytetarëve të saj që jetojnë jashtë shtetit: nisem drejt atdhet si shumë të tjerë, sepse nuk mund të jetoj pa këtë dokument. Nuk më vjen keq për koston e saj, për lekët që, në fund të fundit, shtetit tim po ja jap, por më vjen keq për këtë paaftësi menaxhimi të një çështje kaq delikate. Pasaporta përmban punë shëndeti, datëlindjesh e ditëvdekjesh, dasma e funerale, urime e ngushëllime, domethënë është e lidhur ngushtë me aspekte shumë të rëndësishëm.
Në aeroportin e Pisa-s ndodh diçka e çuditshme. Shikoni: më para, kur luaja me veten time lojën “Le të gjejmë të gjithë shqiptarët në aeroport”, fitoja gati gjithmonë. Sot është pak më e vështirë, shpesh barazoj, ndonjëherë edhe humbas. Nuk është aq shumë punë karakteri , por punë veshjesh e brezash.
Pleqtë shqiptarë kanë pak a shumë të njëjtën veshje si një uniformë standard. Kapele republike apo kasketë, xhaketa të konsumuara në mëngë, pantallona që më në fund të bëjnë të kuptosh se çdo të thotë shprehja “U ka dalë boja!” Është punë dinjiteti. Një i njohur jo-shqipar kishte parë, diku rrugës për në Shkodër, një burrë plak që ruante bagëtitë veshur me pantallona, këmishë e xhaketë. Nuk arrinte ta kuptonte se pse ishte veshur ne atë mënyrë, e unë nuk arrija t’ia shpjegoja. Natyrisht që mund t’i flisja për dinjitetin e plakut si kryefamiljar, si Z-t i shtëpisë që mund të vendosi (a te vendoste) lirshëm mbi fëmijë, bagëti e shtëpi. E për faktin që dalja për të ruajtur bagëtitë ndërsa mund të nisi ndonjë djalë a nip është eventualisht shenjë force e jo dobësie.
Këta janë shqiptaret e vjetër dhe dinjiteti i tyre intim. Dinjiteti i mjekrës së rruar çdo mëngjes, i këpucëve të lustrosura natën vonë, i fjalës e shkollës mbi kapital, biznes e fodullëk. Ky është modeli shqiptar që përballet me sulme të përditshme. Shqiptarë që, dhe këtë e them me keqardhje, nuk do jetojnë më pas 30-40 vitesh, ashtu si nuk do jetojë botëkuptimi i tyre. Diçka ka vdekur, diçka po vdes, diçka do vdesi. Ata që sot shkelin Durrësin, Prishtinën a Rinasin për të pushtuar pastaj rrugët e botës janë shumë ndryshe nga ata që çanë ambasadat në vitet 90. Në fakt janë bijtë e tyre, por historia i ka rrahur kaq shpejt e kaq fort saqë duket sikur kanë kaluar breza të tëra. Janë shumë të largët, shumë të ndryshëm, shumë të tjerë. Edhe për këtë arsye në Shqipëri konflikti i brezave, në thelb, është kaq i vakët e kaq tronditës në të njëjtën kohë. Sepse “mishi tretet, kocka mbetet”, siç recitonte Ndrenika në një film te kaluar.
Avioni im për në Rinas niset në ora 16.00, në ora 16.30 niset ai për Londër e gejtet tonë janë ngjitur. Aty, për herë të parë, nuk dalloj dot shqiptarët nga anglezet. Kam humbur popullin tim: ata që bridhnin me vrap për të dalë të parët, apo ata që tallnin ata që dilnin me vrap për të dalë të parët, ata që pinin raki për të mos ja dorëzuar armikut që sekuestronte pijet alkolike, ata që në tragete rrinin zgjuar gjithë natën duke pire birra e cigare sepse kështu mund të ishin burra, ata që mbanin zile celulari të shëmtuara e të mprehta si një teh thike, ata që pinin cigare në banjot e aeroportit sikur të ishte një e drejtë hyjnore, ata që…etj etj etj.
/> Të gjithë këta nuk ekzistojnë më. Në vend të tyre shikon djemtë e tyre: djem me kufje që u mbijnë nën bluze, me rroba të shtrenjta e me sjellje oksidentale, me flokë të prerë me kujdes e me celularët e fundit që kanë dalë në treg. Janë shqiptarët e rinj, janë shqiptarët në zhvillim e sipër.
Bologna, 24 prill 2012











1 commento
Do te doja te beja nje verejtje ne pergjithesi per gjuhen shqipe e cila shkruhet me shume gabime, jo vetem ne kete artikull por edhe ne artikuj te tjere (jo vetem ne albanianews, fatkeqesisht). Ju kujtoj qe fjala eventualisht, gejt dhe oksidentale nuk jane shqip dhe nuk kane nevoje te huazohen perderisa mund te zevendesohen me ndoshta, porte dhe perendimore.
Te lumte Jo Nila, edhe une jam per perdorimin e Shqipes, por si po shkojme ne pas ca vitesh nuk do flitet ma Shqip por Italisht
Albanianews është e hapur dhe mirëpret bashkëpuntorë/e vullnetarë/e që mund të na ndihmojnë me redaktimin e artikujve shqip
Na thoni si mund te veprojme e ne jemi te gatshem
Balaj Dafina mund ti niesh nje mesazh kryredaktorit tone @blenti shehaj me disponibilitetin tend
Mund te me dergoni artikuj e une jua redaktoj, gjithmone si vullnetare pa dyshim
Mendoj se kush merr persiper te shkruaje artikuj ne nje gjuhe te caktuar duhet ta njohe mire ate gjuhe. N.q.s nje artikull eshte i perkthyer ne shqip atehere perkthyesi duhet ta kete studiuar gjuhen shqipe. Te punosh vullnetar nuk do te thote te mos punosh mire.
Disponibilitet= gatishmerin
Balaj Dafina “gjithmone si vullnetare, pa dyshim”