Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim librat “Rrugët e Ferrit” i autorit të njohur Visar Zhiti

Albania News
Scritto da Albania News Martedì, 13 marzo 2012

Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim librat “Rrugët e Ferrit”  i autorit të njohur  Visar Zhiti

Dolën dy librat e Visar Zhitit, “Rrugë e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, burgologji për kampet e tmerrshëm të Spaçit dhe të Qafë-Barit, të cilën mund të gjenden si botim dhe në një kuti të vetme nën titullin e përbashkët “Rrugët e ferrit të çarë”.
Me këtë botim të ri vepra monumentale, dy burgologjitë vijnë të plotësuara me ide e ndodhi, kumte e ndjesi të reja, por dhe me dokumente autentikë, që në tërësinë e tyre kanë dhënë një kryevepër të kujtesës kolektive, nga më të vyerat e më të arrirat, që, edhe pse pasqyrojnë vuajtjen dhe dhunën e kaluar, janë të dobishme për të sotmen dhe çka është më e rëndësishmja, për të ardhmen.

Me talentin e tij të mrekullueshëm, me forcën magjepsëse të penës së tij, Visar Zhiti këtë përvojë e ka shndërruar në bukuri tronditëse artistike, në letërsi, një lloj eposi modern, ku gërshetohen, përmes mallit të pashterur për jetën, tragjikja e shkaktuar nga shteti mbi brishtësinë e njeriut, e vrazhda e kohës me qendresën e pakohë, dhëmbja me humorin e zi, porosia për shpresë edhe kur nuk ka shpresa.

Natyrisht në to gjejmë vazhdimin, rënien e diktaturës dhe ecjen drejt demokracisë dhe lirive.

RRUGËT E FERRIT

Të dhëna teknike:
Titulli: Rrugët e ferrit
Autori: Visar Zhiti
Redaktor: Loredan Bubani
Shtëpia Botuese: OMSCA-1
Faqe: 576
Çmimi: 1200 lekë

576 faqet e këtij libri, të ndarë në kapitujt e nënkapitujt, lexohen si një roman i madh, fryma humane e të cilit ngrihet mbi atë përditshmëri tiranike. Vlerë tjetër fondamentale është se të gjitha ngjarjet e ndërkallura të tij, shpesh të pabesueshme, janë të vërteta, të përjetuara nga autori apo bashkëvuajtësit e tij, sepse, sipas autorit, gjithçka e krijoi ai realitet diktatorial në epokën e komunizmit dhe nuk kishte pse të fantazoje për më tepër, fati diabolik krijoi dramën e një populli dhe vepra “Rrugët e ferrit” është një dëshmi e madhe dhe besnike me nivel të lartë artistik e një pjese të saj, asaj të nëndheshmes, më të rëndës, ku ishin rroposur kundërshtarët e regjimit. Dhe pikërisht prej saj kuptohet më së miri e tëra.
Vepra nis me një arrestim të beftë, kalon te hetuesia sfilitëse, gjyqi, dënimi, absurd dhe dhunues për sot, vetëm nga shkaku i poezisë, që është metaforë e njerëzores, e lirisë së brendshme, e ëndrrës dhe e kundërshtimit. Pastaj burgu i tmerrshëm i Spaçit, minierat e tij si një ferr real.
Po kështu dhe gjithë personazhet atje janë të vërtetë, me emrat e tyre të njëmendët, të identifikueshëm, të mirë e të këqinj, të njohur e të panjohur, me uniforma burgu e me uniforma ushtarake, të dënuar e të padënuar, politikanë, të çmendur, artistë, provokatorë, policë, gjyqtarë, kuaj, mace, qen, minj, spiunë, shkelje të drejtave të njeriut, delire, vdekje, trishtim pafund dhe libra, libra në burg.

Dhe çudia, protagonisti shkruan prapë poezi fshehurazi, shpesh nuk i shkruan fare, por i krijon me mend, kujtesa është personazh i padukshëm, por qendror. Të bëje atë që i ishte e ndaluar, për të cilën dhe ishe dënuar. Kjo është sfida, sa e rrezikshme po aq dhe e bukur frikshmërisht, hyjnore përmes baltës dhe gjakut. Ky trill mund të paguhej dhe me jetën. Po aty mungon jeta, veç ngërthehet mbijetesa si instikt i shenjtë. Këtë na tregon ky roman, një mjedis të mbyllur e mbytës, burgun dhe minierat e tij, pra mungesën e hapësirës, por ai ka hapësirat e pa masa të njerëzores, ngushtësia zevendësohet me thellësinë, dashuria me ëndrrën, sofra familjare me urinë për jetë, jeta dhe vdekja me mosjetën dhe vrasjen e ngadaltë.

Visar Zhiti ka ringritur një ferr dantesk, ku dhe vetë Danteja do të ndihej keq, i hutuar, se edhe rrathët klasikë të ferrit janë copërluar duke u shndërruar në copra rrugësh që nuk të çojnë asgjëkundi, përveçse të lënë në vend, në ferrin shkretan shqiptar.
Në ndryshim me të gjithë librat e tjerë me temën e burgjeve e të internimeve, që sigurisht kanë vlera të paçmuara, sidomos në raport me të vërtetën e moralin, që tashmë po quhen dhe si librat e ferrit, mbase ky titull u është dhënë së pari nga vetë Visar Zhiti me botimet e më parshme të këtij lloji, na sjell dhe atë që mungonte, përjetimet e njeriun në kushtet e frikshme të burgimit, ndjesitë e vetmisë mes të tjerëve dhe të tjerët, të gjithë së bashku pa vetvetet, si një e tërë, si një popull i mjerë, që megjithëse i mbyllur brenda telave me gjëmba, qendron, dhe ruan në thellësi të shpirtit atë pakëz dritë humane si qiririn e fundit, që do t’i duhet flakës së të ardhmes.

Romani i vërtetë i Visar Zhitit, “Rrugët e ferrit”, na sjell ndryshe nga të tjerët, qoftë dhe nga ajo e përvojave të kujtesës botërore, gumëzhimën e çuditshme, atë zhurmëtirë njerëzore të burgut, të turmës anonime, e cila ngrihen në ajër dhe del, e pa penguar dot nga rojat me armë dhe telat me gjëmba dhe pikërisht kjo duket se është e pamposhtura, e paasgjesueshmja, dëshmi në ajër e dufit, që e bën këtë roman të veçantë e magjepsës, pasuri të letërsisë shqipe.

Prangat në duart e Zhitit nuk janë vetëm prangat e tij, por të njeriut përgjithësisht… Autori na përkujton “se liria më shumë është gjendje shpirti, se sa trupi”. Zëri i tij sjell dhimbjen e Shqipërisë, të një kohe të dhimbshme. Në thjeshtësinë e tij Visar Zhiti është kompleks, i thellë, shumështresor, plot shpirt. Ai të përvetëson me nivelet e mendimit të tij, me fisnikërinë e ndjenjave si dhe me aftësinë që të shprehet lehtë e fuqishëm.

Bozidar Prosenjak
shkrimtar kroat

…romani shfaqet si një tekst që kuptohet qartë dhe asimilohet menjëherë. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues tjetër i çfarëdollojtë dhe ky fakt i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent, i kthjellët dhe pjesëmarrës…

Liviu Lungu
shkrimtar rumun

Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Eshtë dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditëshme.

Kevin Higgins,
shkrimtar dhe botues anglez

Albania News
Scritto da Albania News Martedì, 13 marzo 2012

Facebook