Modernizmi, kritika e realizmit socialist dhe arti i djegur

Albania News
Scritto da Albania News Lunedì, 23 maggio 2011

Modernizmi, kritika e realizmit socialist dhe arti i djegur

Një art pa kritikë do të ishte një paradoks po aq i madh sa një kritikë pa art. Gjatë diktaturës socialiste, deri në fillim të viteve 90, në letërsinë shqipe kritika dhe studimet kritike gati zinin kryet e vendit, duke lënë madje përshtypjen se studimet për letërsinë kishin më shumë rëndësi se vetë letërsia. Autoriteti i kritikut ose studiuesit të letërsisë pothuajse e tejkalonte atë të shkrimtarit.

Një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur
Gabriel Garcia Marquez

Kjo, veç manisë së disave për më tepër aureolë, mbështetej nga institucione studimore të financuara fuqishëm nga shteti dhe, sidomos, nga një platformë rreptësisht e përcaktuar qartë politiko-ideologjike, që buronte nga plenume e kongrese të KQPPSH, ku loja politike bëhej e egër dhe tepër seriozisht. Një letërsi ku analizohej funksioni shpirtëror i njeriut ishte tabù. “Njeriu i ri socialist”, prodhimi më i dështuar i atij sistemi, duhet të qëndronte brenda modelit klasor të paracaktuar, pa asgjë të paparashikuar, me një vend fiks në skemën bardh e zi të shoqërisë, i destinuar për të qenë domosdoshmërisht personazhi pozitiv i veprës artistike.

Kritika i paraprinte letërsisë, duke arritur të përcaktonte objektin e saj, ofronte modele të letërsisë së realizmit socialist të Bashkimit Sovjetik, ku përcaktoheshin që nga kufijtë e shtrirjes tematike e deri tek figuracioni, dhe sidomos paracaktonte fatin e veprës. Në këtë mes, në skemën autor-vepër-lexues, deformimi arrinte të përcillej edhe tek lexuesi, të cilit i manipulohej kështu horizonti dhe shija e i imponohej një letërsi klishè.

Pra, kritika interpretonte vepra artistike të shkruara sipas sugjerimit të kritikës dhe për kritikën, duke prodhuar në këtë mënyrë shumë kritikë e më pak art, dhe duke e cënuar rëndë këtë të fundit në sistemin e vet të vlerave. Ndërkohë që supozohet se një vepër arti e ka apriori një autoritet të vetin, të sanksionuar nga tradita dhe kanoni përkatës, kritikut i duhet çdo herë të legjitimohet në fushën e vet, duke dëshmuar njohjen e aftësinë për interpretim dhe duke verifikuar instrumentet e tij interpretuese, duke vendosur një raport joprivat me veprën, por një raport publik dhe social.

Më tepër se me vlerësimin e veprave të prodhuara sipas vetë skemës së realizmit socialist, kritika e atyre viteve u muar me bombardimin e artit « tjetër »; të artit vërtet modernist apo të atij arti që duhej etiketuar si i tillë, për të varrosur autorin shtatë pashë nën dhe. Vlerësimin e veprave, si të atyre që tashmë qëndronin në « panteonin » e parcaktuar “nga lart” të letërsisë, të gjallë apo të vdekur qofshin autorët, e deri tek hartimet e nxënësve të tetëvjeçares, e bënte “largpamësisht” partia nëpërmjet kritikës, nga këndvështrimi ideo-klasor, duke shkulur me zell çdo gjethe të gjelbër moderniste që guxonte të bulëzonte në “kopshtin socialist”, pasi vetë « i madhi Lenin » ishte shprehur se të gjitha ato argumente e interpretime të gabuara, antishkencore të dukurive të ndryshme estetike e artistike, që përbëjnë platformën teorike të modernizmit, buronin nga idealizmi, i cili duhej konsideruar, sipas tij, si një bar i keq, si një lule shterpë, që rritej në trupin e shëndoshë të njohjes njerëzore 1).

Lufta me ndikimet moderniste në krijimtarinë artistike dhe në artikujt kritikë duhet të ishte e gjatë, e papajtueshme dhe sistematike, në mënyrë që « të ruhej pastërtia ideore socialiste e artit dhe letërsisë, si dhe fryma e partishmërisë proletare nga kjo trysni e fuqishme, pjesë e trysnisë së shumanshme ideologjike të rrethimit imperialisto-revizionist » dhe letrarët tanë të mos binin në kurthin e armiqve të klasës, të brendshëm e të jashtëm, që servirnin “… pilula të helmatisura letrare dhe artistike, të mbuluara me cipë sheqeri… » 2). Me autorët e huaj « të dëmshëm » diktatura vepronte shkurt: nuk i përkthente fare. Kështu lexuesi shqiptar nuk njihte më shumë se treçerekët e letërsisë së huaj.

Kishte autorë të aftë për të bërë art të mirë, por s’kishte mundësi të kishte autorë të lirë. Kjo vlente edhe për kritikët. Të dyja palët o hynë në burg, o heshtën e u morën me punë të tjera, o u konformizuan me dogmat e ngurta ideologjike të partisë-shtet.

Kësisoj, në këtë gjueti shtrigash kundër të gjitha « izmave » dhe « istëve » të këqinj, në Aushvicin shqiptar u dogjën në turrë të druve e u dënuan me harrim si autorët, edhe veprat, ato që ishin krijuar një shekull më parë, ato që sapo ishin krijuar, ato që ishin projektuar për t’u krijuar, madje u mallkuan dhe ato që as ishte menduar të krijoheshin ndonjëherë. U ngrit në piedestal mosarti dhe mediokriteti dhe një mori veprash u gri për karton. Autorët u burgosën apo u internuan. Ata që mbetën, zunë mend, ato vepra që u krijuan fshehurazi jashtë skemës, u mbyllën nga autorët me shtatë palë kyçe, në pritje të një dite më të mirë.

Diktatura, e mbrujtur me komplekse paranojake, ku një njeriu të vetëm i ishte fiksuar se kishte ardhur në këtë botë si një Mesia i dytë për të vënë drejtësi dhe rregull, luftonte me artin e vërtetë dhe përkohësisht po fitonte. Ata artistë që ngjisnin shkallët e karrierës, sikur ngjisnin Golgotën, me kryq në shpinë dhe me shtyllë kurrizore (lexo: parimore) të shtrembëruar nga pesha e agjitacionit politik dhe direktivave të partisë-shtet dhe e haraçit të botimit të veprave të veta. Ky haraç shprehej në formë ekspertizash okulte e varrmihëse për kolegët. Viktimë e këtyre ekspertizave bëheshin ata pak artistë të talentuar që guxonin të krijonin vepra me vlerë dhe që dilnin sadopak jashtë parimeve ideologjike dhe estetike të metodës së realizmit socialist.

Përfundimi për ta ishte burgu apo internimi, nëse nuk pranonin të nënshtroheshin dhe të paguanin edhe ata haraçin e tyre me vepra skematike dhe te ideologjizuara. Mbijetesa e artit bëri që artistët, soji i të cilëve në kohëra është dalluar për çiltërsinë, spontaneitetin, mospërzierjen në gjërat e rëndomta të kësaj bote, të bëhen të rafinuar, të fshihen pas paralelizmave dhe aludimeve të largëta , pas një gjuhe ezopike ose figurave të errta estetike, me shume kuptime, për t’u justifikuar në çdo situatë.

Më pas në pritje të vlerësimit të veprës, u detyruan të studiojnë nënkuptimet e plenumeve dhe parakalimeve, mësuarn të interpretojnë pjerrësinë e vetullave të shefit të Byrosë Politike, ngritjet dhe uljet e temperaturës në kampin socialist dhe gjatësinë e fustanit të spikeres në festivalin shtetëror të këngës. Herë pas here, si bimë të mbira në beton, vepra « paksa ndryshe », që kishin arritur të gjenin plasa në murin e censurës, përbënin lajm, sigurisht « top secret » dhe lexoheshin me batanije të varur në dritare, brenda kapakut të ndonjë libri shkolle, me rrezik jete. Edhe vetë diktatura, më të rrallë lejonte ndonjë mëkat të vogël, për të rregulluar imazhin në opinionin ndërkombëtar, ose për t’ia përdorur si akuzë autorit pas ca kohe.

Mbijetesa e artit arriti të sjellë deri në ditët e sotme edhe artin e burgjeve e të sirtareve, të dalë në dritë që njerëzit të mos harrojnë, ndonëse lavazhi i trurit që u bë në shkallë të gjerë, pati pikërisht si qëllim harresën, rrafshimin, fillimin e epokës « së tyre » nga kuota zero, pothuajse nga hiçi. Nga librat e letërsisë të dukej sikur çdo shekull kishte nga një autor ose dy dhe se talenti shpërtheu vetëm në radhët partizane e më pas, i frymëzuar nga jeta e re socialiste. Tek ne nuk pati mundësi asnjë Pasternak apo Sollzhenjicin të transmetonte protestën e tij në perëndim. Pati njerëz që i vranë për një vjershë dhe të tjerë që vranë veten për një tablo të quajtur armike. Vepra të tëra, shfryrje të asaj që prodhonte talenti i vërtetë e dhimbja, u shkruan në letra cigaresh e dolën nga burgu në palat e ndërresave, për t’u groposur nën dhè për vite e dekada e për të dalë
më pas në dritë si dëshmitare të asaj që kishte ndodhur me artin.

Mosharrimi është ndëshkim ndaj së keqes dhe, si i tillë, kthehet në detyrim. « Vdekja nuk vjen me pleqërinë, por me harresën”, – thotë G.G.Markezi. Falja pastaj është krejt tjetër gjë…

Veprat e llojit të parë, ato me shumë kuptime, ishin vepra që duheshin lexuar mes rreshtave, ndërsa ato të tjerat, veprat e burgjeve, të shkruara para, gjatë apo pas burgut të të zot (kishte edhe të çmendur të tillë), duheshin nxjerrë më parë nga ferri dhe më pas nga varri për t’u lexuar, shumica postum. Mund edhe të mbeteshin të dënuara me burgim të përjetshëm, si prova gjyqësore të fajit artistiko-politik. “Fajtori” i vërtetë ishin pikërisht ato, që, si pëshpëritje djalli, e kishin çuar autorin e ngratë në ngasje të pandreqshme. Në artin “borgjez”, kjo quhej frymëzim…

Sot, kur liria e fjalës e ka lënë të lirë xhindin e frymëzimit të nxijë kartë sa të dojë e të tërbohet në tinguj e ngjyra, ka ca kureshtarë, por sidomos viktima, që hapin dosjet e turpit dhe duan të dinë nga u erdhi rrufeja. Shpesh, madje shumë shpesh, ndër letra shohin firmat e miqve, shokëve, kolegëve, shohin që idhujt e tyre në art, në vend që t’i mbronin, i kishin zhytur më thellë, duke vazhduar të mbronin vendin e tyre në panteon, sipas stilit të kryqit mbi shpinë.

Ajo kritikë, varrmihëse për ca dhe lavdethurëse për ca të tjerë, transmetonte rrufetë e Zeusit tek heretikët dhe diktonte skemat e sjelljes për të tjerët, si pjesë e vigjilencës së partisë në pushtet. Ndonjë prej tyre i hynte me zell të jashtëzakonshëm studimit të rrymave « iste » dhe analizave të autorëve konkretë, duke i sharë aq hollësishëm, saqë pëlqyesve të fshehtë të këtij arti u mjaftonte të lexonin mbrapsht këto libra për të marrë informacionin e nevojshëm artistik. Në kohë të tjera këta kritikë nxituan të përgënjeshtrojnë vetveten.

Gjithnjë paraprirës të dënimeve politike në art, këta kritikë zyrtarë e besnikë të regjimit i sulmuan prirjet moderniste në përgjithësi dhe dukuri të shkëputura estetike në veçanti me mllef të madh, duke anatemuar majtas e djathtas në emër të pastërtisë së linjës së realizmit socialist e duke harruar se një dukuri, p.sh. quhej « sinestezi » e jo « sintezë », apo “teori përputhjeje” dhe ky term kishte ca kohë që përdorej. Në vrull e sipër, duke cituar klasikët e marksizëm-leninizmit dhe orientimet e fundit për letërsinë të drejtuesit të partisë, duke sharë partizanët e « artit për art » dhe simbolistët, që thelluan prirjen drejt formalizmit, duke lënë disi mënjanë « pasqyrimin e jetës », akuzohen këta të fundit se “e kthyen poezinë në një enigmë pa kuptim e ia humbën cilësitë e deriatëhershme, duke e bërë të përfundojë në surrogato estetike me forcë shkatërruese regresive, pasi humbte çdo ide e angazhim social e moral, në emër të « bukurisë së kulluar », të « formës së kulluar », të « ëndrrës së papërlyer », të sugjestionit”.

Kritikohej Verleni, që e quante poezinë, para së gjithash muzikë, denigrohej përpjekja e Malarmesë për të shpjeguar lidhjet mes tingujve, shkronjave dhe emocioneve njerëzore, sulmohej Remboja me sonetin e famshëm të ngjyrave dhe zanoreve, që u konsiderua mund i kotë, që nuk i sillte asnjë vlerë poezisë, por e bënte atë hermetike, gjymtonte themelet e artit poetik dhe e fuste këtë në një fillesë absurde. Kritikohej Zolai, për mbivlerësim të hulumtimeve dhe metodave shkencore në letërsi dhe art, por edhe prirja natyraliste e Floberit për të theksuar rolin e shijes personale tek artisti dhe kthimin në kult të vërtetë të stilit, duke deklaruar se tek « Salambò » kërkonte diçka të purpurt, ndërsa tek « Madame Bovary » diçka të errët, ngjyrë myku, ngjyra që simbolizonin respektivisht, njera ngadhnjimin dhe tjetra jetën e mërzitshme, monotone të shoqërisë. Edhe më mëkatar se të parët dilte shkrimtari francez Haussmann, personazhi « dekadent » i të cilit, i neveritur nga realiteti, synon të arrijë artisticizmin e kulluar, nëpërmjet lidhjes së tingujve muzikorë me ngjyra të caktuara dhe me aromat e pijeve. Në optikën e kritikës socialiste, këto ishin herezi e mirëfilltë, që duhej dënuar pa mëshirë.

Sipas një kritiku të kohës ”Burimi social i modernizmit është ekzistenca e një rendi të vjetër reaksionar, e forcave shoqërore reaksionare, që janë të interesuara të paralizojnë dhe të demoralizojnë forcat revolucionare, të përhapin pikëpamje antishkencore, rekasionare, filozofike e politike, morale e artistike, fetare e juridike. Burimi social i modernizmit janë rendi kapitalist, borgjezia reaksionare dhe revizionizmi” 3).

Më poshtë autori shprehet: “Por modernizmi duhet parë jo vetëm si produkt i proceseve të degjenerimit të shoqërisë borgjeze dhe revizioniste; ai është edhe një armë në duart e forcave kundërrevolucionare për t’i përhapur dhe thelluar më tej këto procese, atmosferën e krizës dhe degjenerimit. Kjo karakteristikë e modernizmit përputhet plotësisht me vlerësimin kritik që u dha në kohë të vet Lenini disa varianteve të modernizmit të fillimit të shek. XX: “Unë nuk kam forcë që veprat e ekspresionizmit, të futurizmit, të kubizmit dhe të “izmave” të tjerë … t’i quaj shfaqje të mëdha të gjenisë artistike. Unë nuk i kuptoj ato. Unë nuk ndiej asnjë gëzim prej tyre” 4). Dhe meqë Lenini nuk i kishte kuptuar, shteti shqiptar i konsideronte armiq artistë të tillë.

Për këtë lloj kritike, shkrimtari i burgosur Astrit Delvina shprehej : « O ju, që gjeni plagët dhe qelbin dhe ushqeheni me të, thyjeni zverkun prapa diellit dhe hënës. Tryeza e poetit nuk ka më thërrime për ju. Ju gërryeni me dhëmbë çakalli kockat e drekës së poetit … Hesht kritik injorant! » 5).

Poeti ynë i mrekullueshëm, Lasgush Poradeci dikur shprehej: « S’ka romantizëm, s’ka realizëm, s’ka futurizëm, s’ka hermetizëm. Ka art ». Do të kisha shtuar, aq më pak ka politikë. Artisti është përgjegjës vetëm ndaj imagjinatës dhe fjalës dhe imagjinata e tij ndryshon nga ajo e shtetit dhe e pushtetit; çdo kompromis me pushtetin do të ishte në një farë mënyre tradhëti ndaj artit. Shteti duhet të ndihmojë krijimin e artistit dhe më pas ta lërë të lirë të krijojë. Receptimi i veprës artistike në të ardhmen, shpesh e përmbys receptimin historik, atë të bashkëkohësisë. Nëse vlerësimi i parë mbi veprën ka qenë politik, i dyti mund të ndryshojë, pasi njihet ai reputacioni i famshëm i politikës, që s’është etike ta përsërisim këtu. Ndaj kritika e suksesshme do të ishte ajo estetike dhe që qëndron në rrafshin e refleksionit.

Aristoteli thotë: « Kritika duhet të jetë e kujdesshme, tolerante dhe joekskluzive, kur gjykon për qëndrimin e poetit ndaj jetës » dhe më pas: «Nuk mjafton që njeriu të dijë çka thotë, por duhet të dijë edhe si ta thotë »

Ndërkohë, sot, në distancë kohe, të vjen turp që di shkrim e këndim kur lexon “thagma” kritike e poshtërsi studiuesish, në kurriz të ca shqiptarëve më të mirë se këta të sotmit.

Deri tani asnjë kritik nuk ka dalë si burrat e të thotë « Mea culpa ! » për mëkatet që u përmendën më lart. Askush nuk e mori ndonjëherë seriozisht ndarjen me të keqen. Secili « bëri një apo dy xhiro rreth kishes”, ose ndonjë “haxhillëk” të detyruar per te shpëtuar shpirtin dhe e quajti veten te falur. Të qenit “i larë”eshte ndjesi relative dhe ka te bejë me paqen e brendshme. Krimet e regjimeve totalitare janë pjesë e kujtesës kolektive njerëzimit dhe këtu hyn edhe haraçi i paguar në art.

Arti shqiptar ende ndien dhimbje nga dhimbja e kaluar <
/strong>


1. V.I.Lenin –Veprat V.38, f.399-400, cituar nga Alfred Uçi, “Labirintet e Modernizmit”, bot.1978, fq. 15
2. Enver Hoxha-raporte e fjalime (1967-1968, fq. 489-490, cituar nga Alfred Uçi, “Labirintet e Modernizmit”, bot.1978, fq. 4
3. Alfred Uçi, “Labirintet e Modernizmit”, bot.1978, fq. 25-26
4. “Lenini për kulturën dhe artin”, bot. 1975, f.364, cituar nga Alfred Uçi, “Labirintet e Modernizmit”, bot.1978, fq. 28
5. Astrit Delvina, “Dhe e bukura nuk u zgjua”, « Turabiu me ferexhe » bot. “Plejad”, 2007

Albania News
Scritto da Albania News Lunedì, 23 maggio 2011

Facebook