Një histori pa zhurmues për Shqipërinë e sotme – Intervistë me Fatos Lubonjën

Alban Trungu
Scritto da Alban Trungu Domenica, 21 giugno 2009

Një histori pa zhurmues për Shqipërinë e sotme – Intervistë me Fatos Lubonjën

Në një intervistë për AlbaniaNews, Fatos Lubonja, një nga zërat më kritikë të shoqërisë flet për kontekstin e sotëm shqiptar. Shoqëria civile, mediat, të rinjtë, dosjet, politika, modeli i zhvillimit, kriza ekonomike, integrimi në BE, vota dhe e majta, çështje aktuale që Lubonja i trajton përditë në shtypin dhe mediat shqiptare.


Gjithmonë koherent në qëndrimet e tij ndaj sistemit, ai nuk kursen askënd duke goditur klasën politike dhe pushtetin në tërësinë e tij. Një sistem ai i yni tashmë në duart e oligarkëve të cilët kanë kapur politikën dhe mediat duke i përdorur për konsolidimin e interesave të tyre. Shoqëria civile është e dobët dhe ngjan me një pemë të kthyer me rrënjët sipër që ushqehet nga perëndimorët dhe vihet në funksion të njërës apo tjetrës palë politike pa bërë kritikën e sistemit. Në një situatë të ngjashme gjinden edhe mediat të ndërtuara sipas modelit berluskonian të cilat kurojnë interesat e botuesve të tyre dhe të forzave politike që ata mbështesin. S’bëjnë përjashtim as të rinjtë, nuk janë një masë kritike, u shërbejnë verbërisht shefave te tyre pa qenë katalizatorë ndryshimesh. Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit janë krijuar hapësira më të mëdha lirie, informacioni, lëvizjeje, kontakti me idetë e reja globale, të cilat shoqëria civile dhe të rinjtë duhet ti shfrytëzojnë për të ndryshuar demokracinë e brishtë shqiptare dhe modelin e saj të zhvillimit.

Gjithashtu, për herë të parë, Lubonja tregon arsyet për të cilat ndihet i majtë, edhe pse ka vuajtur 17 vjet në burgjet e regjimit komunist, ku spikasin ndjenja e fortë ndaj barazisë e lirisë.

 

Shoqëria civile dhe politika

Nga 1991, në Shqipëri flitet për shoqërinë civile. Duket sikur është më tepër një koncept i huazuar nga vende të tjera dhe mjafton të nxjerrësh gomerë në shesh, të krijosh ong apo të implementosh projekte me fonde ndërkombëtare, për të qenë pjesë e saj. Ç’kuptojmë me shoqëri civile sot në Shqipëri dhe ç’rol mund të ketë në të ardhmen?

Më kujtohet në ’89-’90, Ralf Dahrendorf ka botuar librin “Letër imagjinare një mikut nga Varshava”, ku flet ndër të tjera për të ardhmen pas rënies së Murit të Berlinit dhe thotë një gjë interesante që e kam komentuar disa herë “nëse për të ndryshuar ligjet, së pari, do t’ju duhen 6 muaj, nëse për të ndryshuar ekonominë, strukturën, do t’ju duhen 6 vjet, për të ndërtuar atë që quhet shoqëri civile do t’ju duhen 60 vjet”. E thashë këtë për të treguar kohën që nevojitet, sepse këto vite po provojnë që edhe ato 6 muaj apo 6 vjet nuk realizohen aq shpejt. Ndërtimi i shoqërisë civile në 60 vjet tregon vërtet sesa e vështirë është kjo çështje, sepse në thelbin e saj qëndron demokracia, aftësia e njerëzve për t’u bërë zot të vetvetes. Sipas Dahrendorfit, shoqëria civile duhet për të mbushur gap-in ose humnerën midis pushtetit edhe popullit, dmth një “contropotere” që kontrollon pushtetin.

Sipas meje, formimi i një shoqërie civile të shëndoshë është pjesë e një drejtimi ku ecin njëkohësisht edhe pluralizmi partiak, partitë, mediat, sistemi i drejtësisë, sigurisht shteti. Është vështirë të veçosh shoqërinë civile në kuptimin e diçkaje që zhvillohet më shumë ose më pak se të tjerat. Nuk është vetëm shoqëria civile që nuk funksionon mirë, por nuk funksionon mirë as ekonomia, që është informale, shteti, sistemi i drejtësisë apo pluralizmi partiak që është shumë i dobët. Gjithsesi, në qoftë se do të kuptojmë me shoqëri civile, aftësinë e shoqërisë për t’u vetëorganizuar, për t’u mbrojtur nga pushteti e për t’i shërbyer më mirë vetvetes, kjo është ende në fillimet e veta. Është një shoqëri civile e ndërtuar nga jashtë, si një pemë e kthyer me rrënjët sipër që ushqehet nga perëndimorët dhe nuk është me rrënjët në tokë që ta ushqejë vetë shoqëria.

Ndërsa roli i saj në të ardhmen varet nga sa krijimtari dhe guxim do kenë shqiptarët, dhe nga sa nevojë të brendshme do të ndjejnë për ta organizuar atë. Sot për sot, nuk e ka rolin që duhet të luajë.

Një prej aspekteve që ulin besimin në dobinë e shoqërisë civile janë lidhjet e saj me politikën, që në Shqipëri hasen të paktën në dy forma. Në të parën vërejmë një ndarje të organizatave të shoqërisë civile sipas interesave partiakë, në të dytën eksponentë të saj kalojnë në politikë aktive sepse sipas tyre politika mund të ndryshohet vetëm nga brenda. Pse ndodh diçka e tillë? Një shoqëri civile e pavarur nuk i shërben më mirë emancipimit të sistemit?

Pa dyshim që është kështu. Shoqëria civile duhet të luajë rolin e asaj që në anglisht i thonë “counterpart” dmth që plotëson dhe kontrollon pushtetin, si partnerja e tij në krahun tjetër. Duke futur edhe median e pavarur në shoqërinë civile, kjo do të thotë që ajo duhet të ishte e pavarur nga partitë politikë, të bënte kritikën e të dyja pushteteve, qoftë atij lokal, qoftë atij qendror. Ne na duhej pikërisht një shoqëri civile që te ishte “counterpart” e këtyre dy pushteteve që po ti shohësh thellë-thellë, janë një pushtet. Mirëpo, shumica e aktivistëve të shoqërisë civile ashtu si dhe mediat kanë gjetur rrugën më komode, atë që mund të quhet ndarje në dysh, dmth janë bërë pjesë e lojës politike me njërën ose me tjetrën palë, sepse në këtë mënyrë janë më të mbrojtur.

U bë edhe një gabim prej sponsorëve të kësaj shoqërie civile, të cilët ndërruan strategji pas vitit ’97 kur shteti kolapsoi. Dhe idea ishte: “ç’të investojmë në shoqërinë civile kur shqiptarët s’kanë akoma shtetin e fortë?” Prandaj ndërkombëtarët u angazhuan më shumë tek forcimi i shtetit, rikthimi i njerëzve nga jashtë për t’i futur në administratë. Ndërkohë ndodhi që shteti u kap nga oligarkët që erdhën në fuqi, u pervertua roli i medias së ndërtuar prej tyre dhe shoqëria civile nuk u inkurajua si forcë e pavarur. Kjo është një nga arsyet. Arsyet e tjera kanë qenë lidhjet e afilacionet që kanë pasur që përpara me partitë politike një pjesë aktivistësh të shoqërisë civile. Dhe mbi të gjitha është tundimi i pushtetit që ka bërë që eksponentë të saj të kalojnë në politikë.

 

Mediat dhe tjetërsimi i rolit të tyre

Vitet e fundit vihet re një përmirësim i cilësisë së mediave në Shqipëri. Në mediat elektronike janë bërë investime të mëdha, ka emisione e talk show cilësorë, një konkurrencë të tipit anglosakson. Shtypi bën investigime për aferat korruptive dhe enigmat që shoqërojnë tranzicionin shqiptar. Ju jeni një prej analistëve më të pranishëm në mediat shqiptare dhe për një periudhë të shkurtër keni qenë Kryetar i Këshillit Drejtues së RTSH-së. Pse dhatë dorëheqjen dhe a arrijnë mediat në Shqipëri të jenë vërtetë të pavarura?

Po e filloj me dorëheqjen se kjo do shpjegojë edhe pjesën tjetër të pyetjes. Unë kam qenë shumë kritik ndaj sistemit mediatik që u ngrit në Shqipëri pas vitit ’97.

Deri në vitin ’97, Shqipëria kishte një inerci të regjimit komunist. Sali Berisha, në periudhën e vet të parë nuk lejoi radio e televizione private dhe mbajti nën kontroll televizionin publik. Sigurisht kishte gazeta, por kontrolli i radiotelevizionit ishte një formë kontrolli e vjetër dhe shumë prej nesh u lindi vetvetiu ideja që mediat private do të krijojnë më shumë liri.

Kur erdhën socialistët në pushtet në ’97, meqenëse ishte bërë goxha protestë gjatë 5 vjetëve të mëparshëm, dhanë liri të plotë për krijimin e mediave. Në fillim morëm pjesë me entusiazëm në këtë përvojë të re mediatike shqiptare ku filluan të lindin me shumicë televizione dhe gazeta private.

Pas ’97 lindën shumë media dhe kritika ime qëndron në faktin se u krijuan sipas modelit të Berluskonit, njerëz të fuqishëm me bizneset e tyre që futen në media. Pra, nuk lindën si media që ishin biznes më vete, një biznes ku fitimet vijnë nga shitjet e gazetës. Kjo është në kuptimin më të mirë të fjalës, media e lirë që respekton ekonominë e tregut. Këta biznesmenë të sektorëve të ndryshëm, por kryesisht të ndërtimit që ishte industria më fitimprurëse, përfshirë edhe pastrimin e drogës, investuan në media me paratë që fitonin nga krahu tjetër. Dhe tjetërsimi i mediave vinte pikërisht nga interesat e tyre, të cilët nëpërmjet këtyre mediave bënë dy gjëra, tentuan të kapin ose të shantazhojnë politikën dhe njëkohësisht të pastrojnë imazhin e tyre dhe të bizneseve të tyre. Shumë shpejt, ne intelektualët që mendonim se do të ishim, si të thuash, fryma e këtyre gazetave dhe do të bënim politikën e tyre, ndërkohë që pronarët nuk i njihte kush, e pamë veten gjithnjë e më të kërcënuar nga kjo fuqi.

I kam krahasuar botuesit, në një shkrim që kam bërë në ato kohë për këtë fenomen, me Jurassic Park të Spielbierg-ut kur shkencëtarët prodhuan dinozaurët dhe menduan se mund t’i kontrollonin. Mirëpo dinozaurët u fuqizuan dhe ne e pamë veten nën sundimin e tyre. Pse? Sepse ata na paguanin dhe këtu bëhet fjalë edhe për mbijetesën ekonomike të gazetarisë. Kështu që ky sistem mediatik erdhi e u bë gjithnjë më i pervertuar e manipulues, duke humbur funksionin e vet. Mediat dhe gazetarët u bënë gjithnjë më të varura e të nënshtruara. Unë kam qenë një nga kontestuesit e këtij fenomeni. Kam pasur edhe një gjyq të gjatë dy vjet me botuesin e Shekullit sepse më censuroi artikullin. Unë denoncova censurimin e ai më hodhi në gjyq për prishje imazhi të Shekullit dhe të kompanisë së tij.

Edhe opozita e Sali Berishës e kishte denoncuar këtë sistem mediatik, sigurisht, për qëllimet e veta politike.Prandaj dhe pranova të shkoj në KRTSH me idenë se duhet një projekt tjetër e mund të kishte një mbështetje për të. Projekti im ishte shpëtimi i tij nga mediat private të këtij lloji, nëpërmjet forcimit të një televizioni publik të pakontrolluar nga shteti, i cili dihet se nga i ka të ardhurat. Nuk isha kundër mediave private por për reduktimin e tyre dhe futjen e tyre në treg, sepse shumica e tyre mbijetonin nëpërmjet tenderave e përfitimeve të tjera që merrnin pronarët nga lidhja me politikën, apo nga paratë që ata merrnin nga pallatet, etj.

E paraqita këtë projekt në shtyp, mirëpo shumë shpejt pashë që nuk ishte serioz premtimi për të rregulluar mediat. Ishte lojë e pushtetit, siç ndodh shpesh me politikanët që bëjnë premtimet më të mira, por nuk i mbajnë. Pra realiteti i sistemit mediatik ka mbetur po ai që ka qenë. Një televizion publik shumë i dobët, që nuk e sheh njeri dhe, për më keq akoma, i kontrolluar nga qeveria, dhe televizionet e tjera të ndarë e të polarizuar sipas interesave të biznesmenëve të fuqishëm që kanë lidhjet e tyre partiake me një krah ose tjetrin.

Unë dhashë dorëheqjen sepse pashë se po vazhdonte kjo lojë e polarizimit pa gjë në mes. U propozova nga shoqëria civile, nga shoqatat e gazetarëve, dhe formalisht u ndërtua skema e një Këshilli që nuk varej nga partitë por zgjidhej nga parlamenti. Në atë kohë opozita e kontestoi zgjedhjen e anëtarëve të këtij këshilli me mendimin që këta janë të Berishës. Dhe kishte një farë të drejte sepse nuk u bë me marrëveshje midis palëve, por nga ana tjetër ajo ishte shumë e lidhur me mediat private që kishte kontrolluar më parë. Kishte mosbesim ndaj këtij Këshilli dhe kërkoi një skemë kontrolli me përfaqësues partish. Berisha e pranoi këtë skemë më mbrapa dhe kështu u shtuan disa anëtarë të propozuar nga PS. Por duke shtuar përfaqësues të socialistëve, i binte sikur unë të isha i demokratëve. Mirëpo unë s’isha i asnjërës palë dhe dhashë dorëheqjen menjëherë dhe në tërësi ngaqë e pashë se nuk kishin ndërmend të inkurajonin një projekt për mediat ashtu siç e dëshiroja unë.

 

Dosjet dhe keqpërdorimi i tyre

Keni kaluar 17 vjet të jetës suaj në burgjet e njërit prej regjimeve komuniste më të egra të Europës lindore. Një prej organeve më eficiente të regjimit ishte Sigurimi i Shtetit, i cili bazohej në një rrjet bashkëpunëtorësh të fshehtë që spiunonin këdo që ipotetikisht mund të përbënte një rrezik për të. Sot, 18 vjet pas rënies së regjimit, një prej çështjeve të pazgjidhura ngelet ajo e dosjeve. Gjatë këtyre viteve janë bërë disa ligje, i fundit para disa muajsh dhe miratimi i tyre përkon gjithmonë me zgjedhjet e rradhës. Pse ndodh ky fenomen e si mund t’i jepet fund kësaj çështjeje?

Është një nga plagët e pashëruara të shoqërisë shqiptare që lidhet me të kaluarën dhe kur kam formuluar mendimin tim lidhur me dosjet, kam thënë që është “dramë problem”. Shekspiri ka disa drama ne te cilat personazhet janë në situata të atilla ku e kanë të vështirë të vendosin çfarë duhet të bëjnë. Psh. në një nga këto drama që titullohet “Masë për masë”, protagonistja kryesore, Isabella, vihet nga Angelo, mëkëmbësi i dukës, para alternativës që o do ti jepet atij ose ky do të urdhërojë ekzekutimin e vëllait të saj të dënuar me vdekje. Dhe drama është: çfarë duhet të bëjë, ti jepet për të shpëtuar vëllain apo të ruajë nderin dhe të lërë vëllain të vritet?

Është dramë problem sepse hapja e dosjeve ka problemet e veta. Kam qenë për hapjen e dosjeve me gjithë operacionin e dhimbshëm dhe tronditjen që mund të krijojë në të gjithë aspektet. Kur flasim për hapjen kam përdorur edhe një metaforë tjetër: se për këtë punë na duhen mjekë kirurgë dhe jo kasapë. Qëllimi është që kur të bëhet operacioni i trupit, të shërohet dhe jo të vritet. Ndërsa klasa jonë politike është kasape dhe e keqpërdoron këtë çështje.

Dosjet janë përdorur përgjithësisht për të bërë luftra politike brenda llojit, me njëri-tjetrin. Në rastin e fundit që u bë ligji i dosjeve u përfshinë prokurorët dhe gjyqtarët. Politika kishte 17 vjet kohë ti denonconte këta prokurorë, por u përfshinë në ligj pikërisht në momentin kur doli çështja e Gërdecit, sepse ishin disa prokurorë që po hetonin për Gërdecin dhe Berisha u ndie i kërcënuar pasi në atë lojë ishte brenda i biri. Kjo bëri që ligji të humbasë edhe kredibilitetin, pra u keqpërdor çeshtja e dosjeve. Kjo ka ndodhur në Shqipëri.

Për më tepër duhet shtuar që shumica e dosjeve janë zhdukur qysh herët përsëri për qëllime politike e për të kontrolluar njerëzit nëpërmjet kësaj zhdukjeje. Thonë që një pjesë janë zhdukur fare, dhe ekziton vetëm një listë me emrat e bashkëpunëtorëve, por edhe aty janë fshirë emra në mënyrë të pakthyeshme. Pra e gjitha kjo e bën shumë komplekse.

Megjithatë, mendoj që zgjidhja e kësaj çështjeje do të bëhet kur të vijë një brez i shëndoshë që do të jetë i distancuar mjaftueshëm dhe do ta shohë atë jashtë interesave të lojës politike. Pra do ta shikojë si nevojë historike, dokumentare, për të njohur më mirë të kaluarën. Sepse një nga funksionet kryesore të dosjeve është edhe studimi historik i një kohe, nuk është thjesht dënimi i një personi. E ke të vështirë të dënosh një bashkëpunëtor se s’ka as ligj, sigurisht mund ta dënosh moralisht. Shqipëria nuk e pati mundësinë ta bëjë siç duhet. Gjermania e ka bërë më mirë se kudo, por ka pasur Gjermaninë Federale që ishte pjesa e shëndoshë. Në të gjithë vendet e tjera është bërë manipulim me dosjet, o janë mbyllur o janë keqpërdorur. Megjithatë duhet thënë që gjithë kjo trazirë, gjithë ky rikthim, tregon që e keqja është brenda, e se ekziston një nevojë për ta parë atë.

 

Politica dhe oligarkia

Katër vitet e fundit, duket sikur edhe politika shqiptare ka ndryshuar disi: një opozitë më e butë, bashkëpunim midis shumicës dhe opozitës për disa reforma, kryetarë partie që shkojnë fshat më fshat për të bërë programin qeverisës, zgjedhje brenda në parti sipas parimit një anëtar një votë, leader që deklarojnë se do të lenë drejtimin e partisë nëse humbin zgjedhjet, më shumë debat në media. Nga ana tjetër gjatë këtyre 18 vjetëve, politika shqiptare është e ndërtuar rreth disa figurave të forta o autoritare: Sali Berisha, Fatos Nano, tani Edi Rama. Duket sikur pushteti në Shqipëri i përket pak vetëve, pak a shumë një sistem oligarkik. Duke vënë në krahasim këtë traditë 18 vjeçare me këto elementë të rinj, a po shkon politika shqiptare drejt pjekurisë, ka elementë risi në të apo janë thjesht strategji komunikimi politik?

Është e vështirë ta thuash me dy fjalë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 17 vjetëve, nëse Shqipëria ka ecur për mirë apo për keq, nëse ka një lloj përmirësimi apo jo. Përsa i përket oligarkisë që përmende, mendoj se në Shqipëri ka një sistem oligarkik ku interesat e një pakice mbrohen, kurohen nëpërmjet politikës dhe mediave sepse janë këta që kanë kapur si politikën ashtu edhe mediat. Kjo oligarki dhe politika që përfaqëson këtë oligarki ka fituar një përvojë nga këto 17 vjet, dmth, nuk mund të prodhojë ’97-tën që është në dëmin e vet, pra disa përvoja negative të viteve të kaluara, ashtu sikurse nuk mund të prodhojë konfliktualitetin ekstrem që ka shoqëruar politikën sidomos në vitet e para, në një luftë për jetë a vdekje. Në këtë kuptim, përvoja, interesat, e kanë bërë politikën shqiptare më paqësore, më pak konfliktuale, më të gatshme për t’u ulur në tryezë për bisedime, për të zgjidhur me marrëveshje situata të vështira.

Kjo është njëra anë, ajo pozitive, por, nga ana tjetër, negative, kjo oligarki është konsoliduar gjithnjë e më shumë në pushtet, është bërë gjithnjë më e paprekshme, më pak e kritikueshme. Kur them më pak e kritikueshme nuk kam parasysh, njërin politikan apo tjetrin, por këtë oligarki në tërësinë e vet. Unë kam qenë gjithmonë i tezës që nëse në Shqipëri flitet për Sali Berishën, Edi Ramën, Fatos Nanon, pra për pjesën e sipërme të rrethit që duket, sepse këta bëjnë edhe lojën në skenë, dmth bëjnë aktorët, në prapaskenë janë oligarkët që tërheqin fijet, që i paguajnë këta politikanë sepse rrogat që marrin janë minimale në krahasim me jetën që bëjnë. Oligarkët në prapaskenë nuk preken dhe nuk është fjala të preken ata si persona, por është fjala të preket i gjithë sistemi që kanë krijuar. Pra duhet që dikush që qëndron jashtë gjithë këtij sistemi, ta sulmojë nga të gjitha anët për ta ndryshuar. Ndërsa të bësh lojën kundër Edi Ramës, pro Sali Berishës, dhe anasjelltas, është thjesht të lëvizësh interesat pa goditur sistemin. Kam qenë për goditjen e sistemit, sepse është konsoliduar dhe është mjaft i rrezikshëm për liritë dhe për zhvillimin e vendit sepse nuk është as një sistem që prodhon ekonomi.

Nganjëherë kam përdorur shembullin e Rusisë duke thënë se ky sistem fare mirë mund të prodhojë një Putin. Me këto zgjedhje njëri nga këta të dy mund të dalë jashtë skenës, ose Edi Rama po fitoi Sali Berisha, ose Berisha po fitoi Rama dhe ai që mbetet mund të bëhet kontrollues i gjithë sistemit. Psh. Edi Rama ka deklaruar që po fitoi do të ketë edhe Bashkinë dhe gjithsesi deri tani ka pasur një lloj dualiteti sepse bashkia ishte e PS-se dhe qeveria qendrore e PD-se. Mendo tani ti ketë të dyja bashkë. Dmth do të thotë të kontrollosh të gjitha mediat përfundimisht; në mos 100%, 70% apo 80%, aq sa mjafton, sepse edhe Putin nuk kontrollon gjithçka në Rusi. Kam shumë frikë nga kjo. Gjithsesi oligarkët rusë prodhojnë naftë, ndërsa ç’prodhohet në Shqipëri që mbajnë pushtetin këta. Me çfarë mbahet i gjithë ky sistem? Mbahet me një ekonomi ilegale, kriminale mbi spekullimin, mbi zhvatjen e parasë publike. Pra është edhe më e rrezikshme.

 

Të rinjtë dhe politika

Ne si të rinj, edhe pse mosbesues, kemi pasur një farë shprese tek Lëvizja Mjaft dhe tek indinjimi i rinisë ndaj politikës shqiptare. Para dy muajsh, në një debati televiziv të rinjtë e përfshirë në politikë treguan mungesë të theksuar komunikimi me publikun, duke qenë në çështjet që diskutonin midis tyre më të egër se vetë shefat e partive që përfaqësojnë. Pas kaq vitesh a janë kthyer në fotokopje të këqija të politikanëve që shanin me të drejtë? E percepton rinia shqiptare përgjegjësinë që ka për ndryshimin e politikës shqiptare?

Lidhur me shpresën tek rinia dhe tek lëvizjet e saj siç ka qenë edhe Lëvizja Mjaft, ashtu siç thashë edhe për dosjet, ka shumë rëndësi qëllimi pse bëhet apo mbështetet një lëvizje për të përcaktuar nëse është për mirë apo për keq. Siç thotë Gandi, e keqja është një e mirë e vendosur në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Në këtë kuptim edhe Mjafti dhe pastaj vazhdimësia e Mjaftit si lëvizje politike kishte aparencën e një të mire që rinia po sensibilizohet, po ndjek politikën, po tenton të ndryshojë shoqërinë, por e vendosur në vendin e gabuar sepse u përdor nga politika e vjetër. Nuk lindi si kontestuese e politikës së vjetër në tërësi, pasi këta të rinj në vend që të godisnin të gjithë sistemin e krijuar ku hynte edhe Partia Socialiste e Bashkia e Tiranës, goditën njërën palë kundër palës tjetër. Pra bënë atë që bën edhe gazetaria që shpesh herë vihet në funksion të njërit grupim apo tjetrit, pa goditur sistemin.

Tek e fundit kjo rini shfaqet në thelbin e vet si përfaqësuese e të njëjtave interesa dhe siç thatë edhe ju u duk sheshit edhe në debatin e fundit, ku më shumë u shfaqën si zëdhënës të partive të tyre sesa si forcë kritike ndaj shoqërisë dhe ndaj sistemit në përgjithësi. Për mendimin tim është një nga thembrat e Akilit të shoqërisë shqiptare fakti që rinia e cila mendohet se sjell të renë, ndryshimin, idealizmin, moralitetin, goditjen e të keqes nuk e bën këtë deri më sot.

Problemi është si mund të lindë një rini tjetër. Kur kam ngritur çështjen “a ka të rinj Shqipëria?” kam rimarrë tezën e Konicës që thotë se “në Shqipëri nuk ka të rinj por ka ca që kanë lindur më para e ca që kanë lindur më prapa”. Të rinjtë përsëritin të vjetrit thotë Konica dhe unë e gjej realisht edhe sot këtë gjë. Pse? Përgjigja sipas meje gjindet duke shtruar pyetjen edhe për të rriturit: “a ka të rritur Shqipëria?” Në ç’kuptim? Mendoj që edhe të rriturit nuk janë të rritur në kuptimin e vërtetë të fjalës në Shqipëri. Pra janë të rritur si moshë, por rritja nuk do të thotë të rritesh si moshë, por të rritesh si përvojë, si personalitet, të kesh kaluar një rini që në një farë mënyre të bën të arrish atë që kërkon De La Rochefoucauld kur thotë: “kush nuk ka njohur marrëzinë nuk mund të jetë kurrë edhe aq i mençur.” Dmth të kesh kaluar moshën e rinisë me të gjithë aventurat dhe idealizmat që ka dhe ta kesh njohur atë, të jesh ndeshur me prindërit, me brezin paraardhës. Kjo të jep një tjetër pjekuri, të jep atë mençurinë që përmend De La Rochefoucauld.

Ndërsa kur i rrituri ka kaluar një rini të ndrydhur, të shtypur nga autoriteti paraardhës, nga prindi i vet, shpeshherë nuk piqet asnjëherë, nuk fiton ndjenjën e madhe të pergjegjësi që ka njeriu në jetë. Kështu që shumë politikanë që na duken 50-60 vjeçarë, në thelb ata janë të parritur, fëmijë, paranojakë, delirantë, sepse nuk kanë arritur pjekurinë e tyre të vërtetë dhe prandaj prodhojnë të rinj të ndrydhur dhe i shtypin. Ky është mekanizëm që në një farë mënyre përjetësohet, përsëritet.

Kështu që edhe brezat e ardhshëm do të kenë të njëjtin problem. Nuk duhet thyer kjo traditë?

Kjo është një pikëpyetje e madhe. Mendoj që, gjithsesi, në Shqipëri janë krijuar hapësira më të mëdha lirie, informacioni, lëvizjeje, kontaktesh me idetë e reja në botë, dhe këto e bëjnë më të mundshëm atë që mund të quhet probabiliteti i lindjes së një ndryshimi, të një mutacioni, pra që të dalin të rinj ndryshe, që vendosin ta thyejnë këtë traditë e të krijojnë një gjë tjetër.

 

Të rinjtë, rikthim e ikje

Aktualisht ka shumë të rinj që kanë studiuar jashtë. Një pjesë e tyre duan të rikthehen për të dhënë përvojën e vet në zhvillimin e vendit. Edhe nga politika shqiptare vihet re një tendencë për të tërhequr këta të rinj. Ka pasur dhe ka programe për thithjen e trurit. Në këtë fushatë zgjedhore shumë parti politike kanë ekspertë të rinj të formuar në universitet perëndimore nga më të dëgjuarat. Duke mbështetur politika të rinjtë që studiojnë jashtë në një farë mënyre nuk shtyn ata që janë në Shqipëri të largohen dhe të mos besojnë tek sistemi arsimor shqiptar? Nuk është koha të shihet pak ndryshe kjo lloj situate? Me fjalë të tjera, brain gain, dmth rikthimi i trurit, nuk çon në brain drain dmth në humbjen e tij?

Mendoj që tema është disi më e gjerë sesa tema e trurit të të rinjve. Kjo që thua është shumë e vërtetë dhe ne duhet t’i rikthehemi edhe një herë me sy kritik idesë sipas së cilës do të na shpëtojë Perëndimi. Në thelbin e vet, në vitet 90-91 kur ra komunizmi, ka qenë shumë e fortë ideja se tani që u hapëm Perëndimi do na sjellë idetë, lekët. “Ne qeverisim, Europa na ndihmon”, ka qenë një parullë e famshme e kohës. Apo flitej për çekun e bardhë që Perëndimi do ti jepte Partisë Demokratike. Pra ishte ngritur një kult i Perëndimit si shpëtimtar që kishte një pjesë të së vërtetës në kuptimin se rënia e murit të Berlinit erdhi edhe si rezultat i Luftës së Ftohtë, por nga ana tjetër ky proces ishte një shkatërrim dhe jo rindërtim i diçkaje të re. Në një farë mënyre, ishte një luftë që fitoi Perëndimi dhe sigurisht fitore do të thoshte shkatërrim ose humbje e palës tjetër. Kjo humbje pati pasojat e veta që shoqëria shqiptare i ka jetuar në mënyrën më dramatike me eksodin, ikjen në Perëndim për të ndërtuar diçka atje.

E gjithë ëndrra e shqiptarëve u bë ikja dhe ndërtimi i jetës në Perëndim. Duhej parë me sy kritik qysh në fillim ky qëndrim, sepse nuk u vlerësua nga të dyja palët, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga Perëndimi, fakti që shpëtimi duhet të vinte kryesisht nga brenda dhe jo nga ndihmat, njerëzit, idetë, apo financimi që do bënte Perëndimi.

Më kujtohet një miku im suedez, Gerald Nagler, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Helsinkit, që më tregonte për një takim me Havelin. I kishte ngelur në mendje përgjigjja e tij. Nagler e kishte pyetur: “Ç’mund të bëjmë ne tani për ju që t’ju ndihmojmë?” Haveli i ishte përgjigjur pak a shumë kështu: “më duket se e keni shtruar gabim pyetjen, sepse jemi në të njëjtën barkë”. Pra sipas tij do ishte më drejtë të pyetej çfarë mund të bëjmë për të shpëtuar të gjithë në këtë barkë dhe jo sikur të bëhej fjalë për një anije tjetër që vjen e ndihmon anijen tonë që po mbytet. Në një farë kuptimi edhe Perëndimi duhet ta shikonte më shumë si qënie në një barkë se sa si dy anije, njëra që po mbytej e tjetra që jepte një ndihmë. Në fakt dominoi kjo e dyta.

Për të ardhur tek pyetja juaj, Perëndimi ofroi edhe bursa e mundësi për të rinjtë të studionin jashtë me tezën që do të ktheheshin me idetë perëndimore, do t’i implementonin ato dhe do të ishin instrumenta të përparimit të shoqërisë shqiptare. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, gjithë ato para mund të ishin investuar në mënyrë më efikase, sikur gjithë kjo energji rinore, dhe ndihmat të përqendroheshin në vend (sigurisht pa mohuar të drejtën e lëvizjes),. Dmth të përdoreshin për të ristrukturuar shkollat, për të sjellë më shumë pedagogë në Shqipëri, sesa për ti tërhequr në Amerikë, Itali apo gjetkë këta të rinj.

Pra do të kish qenë më e mirë mosdalja nga rrënjët. Investimi kryesor duhet të kishte qenë në vend. Ideja s’duhet të ishte të shkojmë në Perëndim ku ka universitete ku të rinjve u njihet diploma, por mundësisht të krijoheshin një ose dy universitete në Shqipëri të asaj cilësie që do të lëshonin një diplomë që do të vlente në të gjithë Europën. Atëherë një pjesë e mirë e këtyre të rinjve nuk do kishin ikur. Por kjo kërkonte një tjetër vizion, ndoshta sidomos për Shqipërinë që ishte një rast më i veçantë sesa të tjerët, sepse kishte nje nivel ekonomik dhe arsimor në gjendje të rrënuar për shkak të izolimit të madh kulturor.

Përsa i përket çështjes së të rinjve që kthehen dhe atyre që rrinë, përgjithësisht mendimi im është që në Shqipëri vazhdon të mbizotërojë ideja e ikjes. Po të kesh parasysh faktin sesa rëndësi i jep Sali Berisha në fushatën zgjedhore vizave dhe, nga ana tjetër, sa shumë përpiqet opozita të thotë që liberalizimi i tyre është larg akoma, duket sikur akoma mbizotëron ideja që ne do t’ju krijojmë mundësinë të ikni nga Shqipëria. Është katastrofë të futet kjo në fushatë zgjedhore. Sigurisht, flitet për qarkullim të lirë, por në thelbin e vet, në imagjinatën e shqiptarit kjo është shpesh herë ikja, mundësia për të ikur, për t’u punësuar jashtë. Kanë kaluar 18 vjet dhe politikat duhet të kishin qenë shumë më të përqendruara në zhvillimin brenda vendit. Kështu çështja e qarkullimit të lirë s’do të ishte as problem, sepse një Shqipëri e shëndoshë ekonomikisht dhe politikisht do kishte hyrë në Europë dhe qarkullimi i lirë do ishte siguruar.

Përsa i përket të rinjve që ftohen në Shqipëri nga politika për të dhënë kontributin e tyre, pa mohuar vlerat, idetë, përvojën që mund të sjellin, mbetem i tezës që këta të rinj më shumë përdoren nga politika e vjetër sesa bëhen katalizatorë ndryshimesh. Ndoshta me kalimin e kohës mund të krijohet një masë kritike të rinjsh që vinë edhe kërkojnë ndryshimin, por deri tani thithja që i bëhet nga politika nuk e ka krijuar këtë masë kritike. Përkundrazi, shoh shumë të rinj që vihen në shërbim të politikës së vjetër dhe më shumë përdoren si fasadë me titujt e tyre të marrë në universitetet europiane, sesa sjellin realisht ndryshime në vend. Pasi pushteti është ende në të njëjtat duar dhe sigurisht që të bësh ndryshime duhet të kesh pushtet. Dhe këta të rinj nuk kanë pushtet.

A i demotivon kjo shqiptarët brenda vendit për të studiuar? Sigurisht ata më të mençurit dhe ambiciozët i demotivon, por ata gjejnë rrugët për të ikur, akoma sot e kësaj dite. Ndërkohë që vërej me një shqetësim shumë të madh, një masë të madhe të rinjsh që nuk e ka arsimimin në sistemin e vet të vlerave, përkundrazi përdor një titull për të çarë diku dhe si rezultat i kësaj kemi të ashtëquajturat universitete private ku siç flitet, po me burime mjaft të besueshme, më shumë blihen diplomat sesa meritohen ato. Backgroundi i gjithë kësaj është fakti se në Shqipëri, për fat të keq, klasa politike është në pushtet jo në sajë të meritës, shkollimit, dhe kjo ka krijuar një lloj sistemi vlerash ku shkollimi nuk konsiderohet si kusht shumë i rëndësishëm për të qenë i suksesshëm, përkundrazi për të qenë i suksesshëm duhet të mësosh shkollën e djallit në një farë mënyre, shkollën e gjithë atyre që nëpërmjet servilizmit, mashtrimeve, spekullimeve, kriminalitetit, janë pasuruar dhe kanë krijuar statusin e të suksesëshmit. Kjo është më dekurajuesja nga të gjitha në Shqipëri edhe për të rinjtë do të thoja.

 

Modeli i zhvillimit dhe prioritetet

Jemi në prag zgjedhjesh, në programet e tyre partitë politike flasin për shumë prioritete: integrimi në BE, punësimi, të rinjtë, arsimi, bujqësia, etj. Gjatë gjithë këtyre viteve i vetmi model zhvillimi përqendrohej tek Tirana. Kush janë sipas jush prioritetet dhe modeli i zhvillimit më i përshtatshëm për Shqipërinë?

Me pak fjalë mund të them që tashmë janë të qarta pasojat e gjithë kësaj rritjeje që ka qenë rritje në kuptimin e GDP-së, por që është shoqëruar në shumë aspekte jo me rritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqenies, por me rënien e tyre. Kam parasysh faktin që rritja në Shqipëri është matur shpesh me numrin e pallateve të ndërtuara apo kafeve e restoranteve. Ndërkohë kush shkon sot në bregdetin e Durrësit, midis Durrësit dhe Kavajës, shikon një katastrofë në kuptimin e zhvillimit të një turizmi normal. Pra e ashtëquajtura rritje ka sjellë shkatërrim të mirëqenies, të burimeve dhe prioriteti i Shqipërisë duhet të jetë korrigjimi i kësaj, duke transferuar zhvillimin në drejtime të tjera.

Jam dakord me një ekonomiste të ardhur nga jashtë të përfshirë në Partinë Socialiste, që kur e dëgjon, të bën të mendosh se projekti i PS-së është zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit dhe në një farë mënyre ndjeshmëria ndaj shkatërrimit ekologjik që ka sjellë kjo lloj rritjeje. Besoj se politikat këtu duhet të orientohen. Por unë dyshoj se këto janë premtime elektorale që bazohen tek një vetëdije tashmë e elektoratit se gjërat duhet të shkojnë në këtë drejtim, por që nuk do të bëhen dot realitet sepse interesat e atyre që kanë pushtetin, bien në kundërshtim me këto lloj politikash.

Pushteti sot në Shqipëri mbahet nga një lloj ekonomie “mordi e fuggi” siç i thonë italianët, ndërsa është vështirë të mendosh që mund të kesh sukses ekonomik të qëndrueshëm po të bësh investime në bujqësi. Është e njëjta situatë si para 4 vjetësh, kur Sali Berisha i premtoi vlonjatëve Vlorën turistike kurse kur erdhi në pushtet po projekton Vlorën si portin më të madh në Evropë ku do të shkarkohen konteinerët që do të shkojnë për në Lindje, petrolifera, TEC-e, AMBO-n, dmth të kundërtën e asaj që premtoi, shkatërrimin e turizmit. Por kjo është një mënyrë për të ndejtur në pushtet sepse kështu marrin mbështetje politike nga jashtë ndërkohë që janë të pazotë për të zhvilluar ato politika të zhvillimit të qëndrueshëm për të cilat Shqipëria ka nevojë sot në mënyrë urgjente.

 

Ekonomia dhe kriza

Në lidhje me krizën ekonomike globale, duket sikur në Shqipëri nuk ka krizë. Bile para disa muajsh qeveria fliste për rritje me dy shifra. Sidoqoftë, vazhdon të ketë një farë rritjeje. Duke pasur parasysh që sektorët e ekonomisë shqiptare janë shumë të dobët, si është e mundur që Shqipëria vazhdon të ketë rritje dhe a ka krizë?

Një nga arsyet pse nuk ndihet kriza është sepse Shqipëria i ka shumë të dobët sensorët që përcaktojnë krizën. Kur një trup është krejtësisht i sëmurë, me ethe të vjetra kronike, e ka të vështirë të dallojë një sëmundje të re që po i vjen. Pra kriza përcaktohet nga sensorët dmth rritja e numrit të papunësisë, falimentimet e ndërmarrjeve, nga të gjithë ata tregues që janë të dallueshëm e bëhen lajm publik. Në Shqipëri nuk ka lajme publike të tilla, pushimet nga puna të njerëzve nuk janë lajm fare. Në Shqipëri të jesh i punësuar ose i papunësuar nuk ka lidhje fare me ato që quhen sigurime shoqërore ose amortizatorë socialë (dalja në kasa integrazione), sepse del nga puna dhe je në mëshirë të fatit, askush nuk interesohet për ty. Kriza në Perëndim ndihet sepse Perëndimi ka ndërtuar të gjithë sensorët për ta matur dhe për ta parandaluar me sa të jetë e mundur. Kurse Shqipëria është në krizë të vazhdueshme.

Nga ana tjetër nuk është se në Shqipëri nuk ndihet kriza. Ata që duan e shohin, e kërkojnë, e analizojnë. Ajo vjen së pari nga kriza ndërkombëtare, sepse do të thotë më pak punë për emigrantët, të cilët kanë qenë një burim i rëndësishëm mbijetese. Dhe të ardhurat e tyre detyrimisht pakësohen në këtë krizë dhe kjo ndihet qoftë në mirëqënien e familjarëve, qoftë në atë lloj ekonomie që është mbështetur tek të ardhurat e emigrantëve, përfshirë edhe ndërtimin, sepse një pjesë e emigrantëve kanë investuar për të ndërtuar apo blerë një apartament për veten ose familjarët e tyre, apo tregtinë në kuptimin që me të ardhurat që çonin familjarët blinin diçka më shumë. Pra ndjehet në këtë drejtim që lidhet me krizën ndërkombëtare.

Kriza ndihet edhe si rezultat i politikave të gabuara që janë ndjekur në Shqipëri duke imituar pak a shumë modelin perëndimor, bile në mënyrë ekstreme. Shteti sipas këtij modeli nuk ka bërë rolin e kontrollorit por i ka lënë dorë të lirë tregut, zhvillimit agresiv e spontan, individualizmit ekstrem, pra një ekonomie “laissez-faire” që në Shqipëri ka marrë drejtime krejtësisht të pakontrolluara. Sot gjendemi në një situatë që e kemi të vështirë të përcaktojmë cilat janë burimet e jetesës së shqiptarëve, çfarë ekonomie kanë ndërtuar që të prodhojë para për ta, sepse ndërtimi nuk prodhon para, është thjesht çimentifikimi i parave të emigrantëve, edhe i atyre të pista që shpeshherë kanë krijuar një sasi të madhe ndërtimesh të panevojshme që nesër mund të ngelen pa u banuar. Pra nuk ka krijuar një ekonomi që prodhon para, ashtu sikurse për shkak të “laissez-faire” një sektor tjetër i rëndësishëm ka qenë ekonomia spekullative e ndërtuar mbi shitjen-blerjen e publikes, përsëri jo një ekonomi e shëndoshë prodhuese që nesër mund të ishte garanci për të ardhmen e shqiptarëve. Në këtë kuptim kriza është shumë e thellë në Shqipëri, më e thellë se kudo tjetër.

 

Integrimi dhe retorika për të

Përsa i përket proçesit të integrimit në BE, klasa politike flet gjithmonë për reforma dhe standarde të nevojshme për t’u bërë pjesë e saj. S’merret vesh nëse reformat dhe standardet duhen bërë për të përmirësuar sistemin tonë apo thjesht sepse duhet të integrohemi në BE. Në rastin e dytë ç’pasoja mund të ketë për të ardhmen?

Përgjithësisht Nato dhe BE-ja në politikën shqiptare janë përdorur siç përdorej dikur horizonti i komunizmit dmth me një retorikë manipolative, propagandistike, duke e fetishizuar hyrjen në BE. Rëndësi ka të hymë në BE, por s’ka rëndësi si jetojmë, rëndësi ka të hymë në NATO, por jo si e kemi ushtrinë.

Ndërsa unë mendoj që duhet të ishte krejtësisht e kundërta. Ne duhet të kishim ndërtuar një Shqipëri të shëndetshme polikisht, ekonomikisht, qoftë edhe ushtarakisht, për të qenë në standartet dhe nivelin e këtyre vendeve, atëherë në një farë mënyre je automatikisht në BE. Por nuk është ky vizioni. Vizioni është përdorimi manipulativ dhe në thelbin e vet, shpeshherë, vetëm në nivel retorik, i çështjes së integrimit. Shpeshherë bëhen ligje në standartet europiane, por aplikimi i tyre është në standartet e vjetra dhe dihet se më shumë sesa ligji ka rëndësi aplikimi i tij. Në këtë kuptim, politikanët shqiptarë edhe e duan edhe nuk e duan BE-në. E duan për ta përdorur në retorikën politike, për të pasur mbështetjen ndërkombëtare sepse u garanton pushtetin dhe prandaj bëjnë ligjet. Nga ana tjetër nuk e duan sepse po të hysh në BE do të thotë të jesh i kontrolluar shumë më tepër nga niveli i demokracisë, legjislacionit, ekonomisë, pasurisë së vënë. Të gjitha këto, në thelbin e vet, nuk i shkojnë për shtat kësaj klase politike sepse pushtetin ajo e ka në sajë të sistemit që ka krijuar dhe që është shumë larg sistemit europian të shtetit ligjor e të tregut relativisht të lirë të bazuar më shumë mbi konkurrencën sesa mbi monopolet e pushtetit politik (aq sa ç’është edhe këtu).

Kështu që nuk i jap edhe shumë rëndësi kur dëgjoj fjalët integrimi europian, Shqipëria në Europë, Shqipëria në Nato, i kaloj pa asnjë lloj entuziasmi apo ndjeshmërie të veçantë. Është retorikë që përdoret për një pjesë njerëzish por besoj se shumica e shohin kështu si unë. Është një abuzim, një inflacion me fjalët BE, NATO, siç dikur kryhej ëndrra e socializmit por realiteti ishte tjetër, dhe aktualisht njerëzit jetojnë realitetin e përditshëm që është shumë larg ëndrrës. Po të shikosh ka pa fund kontradikta. Ajo që fola për vizat, në një farë mënyre është ilustrim i kësaj, sepse nëse thua do të hymë në BE apo jemi afër, kjo nuk do të thotë që do të na pranojë Europa por se jemi afër standarteve, ndërkohë që njerëzit i jetojnë përditë standardet. Gjendja është katastrofë.

 

E keqja më e vogël dhe vota

Gjithmonë keni qenë koherent me zgjedhjet e juaja përsa i përket mbështetjes në kohë fushatash zgjedhore dhe keni shpjeguar qëndrimin tuaj. Shpeshherë keni përdorur metaforën e së keqes më të vogël. Herën e fundit, në 2005, mbështetët Berishën sepse një mandat i tretë i socialistëve do kishte çuar në kapjen përfundimtare të shtetit. Jemi përsëri në prag zgjedhjes dhe nuk mbështetni më as Berishën, por as Ramën. Kush është e keqja më e vogël këtë herë dhe për kë do të votojë Fatos Lubonja?

Unë kur kam mbështetur Berishën herën e fundit kam hedhur edhe tezën “mjaft më me të keqen më të vogël se koha provon që e keqja më e vogël duke ndejtur në pushtet vjen dhe bëhet e keqja më e madhe”. I kam provuar të gjitha të këqijat e vogla që janë bërë e keqja më e madhe.

Prandaj jam shumë pezull në zgjedhjen time dhe kam shumë frikë që një nga të dy, cilido prej tyre të fitojë, do bëhet shumë shpejt e keqja më e madhe edhe në qoftë më e vogla. Bile në një farë mënyre shoh rrezikun e një regjimi putinian me fitoren e cilitdo nga të dy. Pra, në rastin e fitores së Berishës shikoj një dobësim të socialistëve deri në arritjen e një opozite krejtësisht pasive, të pafuqishme, ashtu sikurse në krahun tjetër me fitoren e Ramës rrezikojmë të mbetemi me një opozitë formale pa asnjë pushtet dhe kjo sepse ai grup i vogël që ka pushtetin në Shqipëri gjithnjë e më shumë ka ardhur duke i përqendruar interesat e pushtetit dhe duket sikur janë të panevojshëm dy leader. Mjafton një i tillë që një grup i vogël të ndajë të gjitha resurset e Shqipërisë. E shikoj shumë këtë rrezik dhe, nëse do të deklaroja qartazi, do të deklaroja që nuk votoj për asnjërën nga këto dy parti.

Jo pse e shikoj të ndryshëm përsa i përket sistemit, por pikërisht për të ruajtur ekzistencën e disa pushteteve që të krijojnë, nëpërmjet dinamikës së tyre, një lloj hapësire lirie, kam pasur pak a shumë idenë që duhet mbështetur Ilir Meta. Qoftë edhe për faktin se ka disa politika më sociale, por ngelem i idesë që edhe ai në retorikë mund të flasë për politika sociale, për punësim, por tek e fundit do bëjë lojën e të njëjtës oligarki kur të vijë në pushtet. Sidoqoftë është e vetmja forcë që tenton, duke qëndruar në mes të këtyre të dyjave të fuqishme, të krijojë pak hapësirë lirie edhe shprehjeje.

Shqipëria ka pasur dhe ka dy rreziqe të rëndësishme. Njërin deri diku e ka kapërcyer, por jo plotësisht. Ky është monopolizimi i pushtetit dhe autoritarizmi, që kërcënon lirinë. Tjetri është vetë sistemi ekonomik i oligarkëve që nuk është pa lidhje me të parën. Në periudhën e parë të Berishës, autoritarizmi dhe mungesa e lirisë së shprehjes ishin problemet kryesore. Në periudhën e dytë u duk sikur u sigurua liria e shprehjes, por u përqendrua në pak duar pushteti ekonomik e politik, i cili filloi të manipulojë lirinë e shprehjes jo në format e vjetra policore, por nëpërmjet blerjes së gazetarisë, intelektualëve, dmth. një formë më soft, por gjithsesi e rrezikshme. Por, rreziku i parë ngelet, dhe vjen një situatë kur ky lloj regjimi, që ka një farë tolerance, bëhet më intransigjent dhe më autoritar. Prandaj ekzistenca e një fuqie tjetër që sado pak i reziston duhet mbështetur sepse krijon një lloj ekuilibri pushteti dhe hapësira lirie. Kështu që nëse do të shkoj të votoj, mund të shkoj të votoj për partinë e Ilir Metës, nuk e kam vendosur.

 

Lubonja dhe e majta

Nëse do të më pyesin kush është Fatos Lubonja, do të përgjigjesha: antikonformist, koherent, liberal, ambientalist, kundër pushteteve të forta. Në Europë, kryesisht, karakteristika të profilit të një intelektuali të majtë. A ndihet Fatos Lubonja i majtë? Nëse po, si është e mundur të ndiheni i tillë edhe pse keni vuajtur një prej regjimeve më të egra komuniste, ndiheni i tillë?

Është pyetje që kërkon një përgjigje shumë të gjatë dhe jo me dy fjalë. Në qoftë se do ta përkufizoja veten time, ndonëse nuk më pëlqen një gjë e tillë, mund ta quaja socialist libertar. Me këtë kuptoj kombinimin e dy gjërave: një ndjeshmëri të fortë ndaj barazisë së njeriut me njeriun, ku nënkuptoj sidomos barazinë e dinjitetit mbi të gjitha, barazinë e disa të drejtave themelore, si psh. barazinë e të gjithë fëmijëve që të shkollohen njëlloj, barazinë e të gjithë njerëzve që të kurohen njëlloj, si dhe një ndjeshmëri të fortë ndaj lirisë së individit. Ndjenja e lirisë dhe barazisë janë dy pilastra që më vijnë n nga edukimi në rini me idetë e Revolucionit Francez me një botkuptim iluminist ku nënkuptoj edhe laicizmin, besimin e fortë tek forca e arsyes dhe shkenca, vënien në dyshim të miteve etj.. Këto janë disa tipare të formimit tim të rinisë që burgu nuk mi ka hequr por mi ka përforcuar. Kurse jete dhe përvoja e post komunizmit shqiptar si dhe koha postmoderniste që jetojmë që në një farë kuptimi është edhe post iluministe mund të them se m’i ka përplotësuar e artikuluar më mirë nga një anë por edhe më ka bërë t’i njoh kufizimet më mirë.

Nga përvoja ime e jetës, më rezulton se në kërkim të lirisë nuk mund të kesh një qëndrim njëlloj në të gjitha kontekstet ndaj asaj që mund të përkufizohet si “e majtë” ose “e djathtë”. Pra varësisht nga konteksti që përjeton, mund të bëhesh i djathtë ose i majtë në kërkim të lirisë. Ç’dua të them me këtë? Në një vend ku barazia të imponohet me dhunë siç ishte regjimi komunist, ajo bëhet shtypëpse e lirisë. Ky regjim (per definizione) është i ekstremit të majtë siç e quan Norberto Bobbio, ku kemi barazi dhe mungesë lirie (ndonëse çështja nëse ka pasur apo jo vërtet barazi në ato regjime mbetet e hapur sepse ndonëse ka pasur disa barazi si ato të shkollimit të shëndetësisë apo edhe ekonomike, ka pasur edhe pabarazira të mëdha kur ke parasysh hierarkinë e frikëshme të pushtetit, persekutimin e klasavetë përmbysura etj.). Pra, i ndodhur në ekstremin e majtë, në kërkim të lirisë individi pa dyshim do të shohë djathtas. Me djathtas kuptoj faktin që në kërkim të lirisë, ti je kundër psh. llojit të ekonomisë ku të gjithë janë të detyruar të punojnë atje ku do shteti dhe shfrytëzohen nga ai, sepse tek e fundit ai shtet ishte një lloj kapitalizmi shtetëror, dhe individi e kërkon lirinë ekonomike (idealisht të paktën) në emër të lirisë individuale më në përgjithësi. Pra shkon djathtas, gjithmonë në kuptimin e së djathtës si liri e individit për të qenë sa më i pavarur nga shteti dhe si treg i lirë çka nënkupton edhe lirinë prë të mos qenë i barabartë përderisa dikush punon më shumë dikush më pak dikush ka më shumë merita dikush më pak.

E majta, në kuptimin e regjimit që kemi kaluar, ka nënkuptuar një shtet të fuqishëm deri në ekstrem, i cili kontrollonte edhe ekonominë dhe u jepte një barazi të imponuar gjithë qytetarëve nëpërmjet punësimit të përgjithshëm. Ndërsa një sistem kapitalist, që nga e majta komuniste quhej i djathtë (pavarësisht se në fakt e majta dhe e djathta nuk mund të ekzistojnë veçse brenda një sistemi dhe s’kuptohen pa njëra tjetrën), nënkupton një shtet më të dobët dhe përgjithësisht një ekonomi të lirë që nuk krijon vetëm më shumë mundësi prodhimi, por në thelbin e vet krijon më shumë liri sepse individi nuk është më rob i shtetit.. Liria në këtë sistem nënkupton edhe mundësinë e pabarazisë. Ai që është më i zoti fiton më shumë, ai më pak i zoti fiton më pak.

Pa dyshim, të gjithë shqiptarët me mend që kanë jetuar në regjimin komunist, kanë parë djathtas, sepse dilnin nga një ekstrem i majtë. Idealisht ndoshta shikonin drejt qendrës, po qendra ishte djathtas në kuptimin e realitetit që jetonim. Mirëpo, në kontekste si ai i sotmi, vemë re se në emër gjoja të lirisë për të qenë i pabarabartë një grup oligarkësh kap pushtetin dhe krijon një sistem që mund të shihet fare mirë si rrezik i një ekstremi të djathtë me të cilin, gjithë sipas Bobbios, kuptohet pabarazia plus mungesën e lirisë. Tek ne është krijuar një realitet ku liria e pabarazisë nuk stimulon meritokracinë, pra është e pamerituar edhe si pabarazi sepse mbështetet tek spekullimi, kriminaliteti, mafiozllëku. Atëherë krijohet një pabarazi me rrezikun që këta të pabarabartë të dhunojnë edhe liritë e tua. Dhe këtu vimë tek qendra e majtë dhe ajo e djathtë, ku qendra e majtë është ndjeshmëri më e madhe për barazinë plus liri dhe qendra e djathtë është ndjeshmëri më e madhe për pabarazinë plus liri. Normalisht lavjerësi duhet të lëvizë brenda kësaj hapësire. Tek ne është përtej saj djathtas. Edhe pa qenë i majtë në kontekste si i yni duhet të shikosh majtas në emër të lirisë.

Për më tepër në thelbin e vet ngrihet gjithmonë problemi a mund të ketë liri pa barazi? Pra kur dikush është më i pasur dhe ka më tepër mundësi të shkollojë fëmijët e tij, a nuk është ai superior dhe më i lirë sesa argati që punon për të? Është një nga problemet e sistemit që sipas mendimit tim pavarësisht luhatjeve majtas djathtas në vendet më të përparuara është korrigjuar gjithnjë e më shumë në favor të barazisë së njeriut me njeriun. Nëse mund të flitet për progres të njerëzimit, ky sipas meje s’matet as me rritjet ekonomike as me zbulimet shkencore por me ecjen e njerëzimit drejt barazisë. Mjafton të kesh parasysh heqjen e skllavërisë në SHBA apo ecjen drejt barazisë me burrin të të drejtave të gruas.Të paktën që nga koha e Krishtit (i cili flet për barazinë e të gjithë njerëzve përpara Zotit) e këtej kjo, për mua është ideja ndriçuese e karvanit të njerëzimit, pavarësisht se jo rrallë kjo ka njohur edhe periudha zbehjeje të frikëshme, mjaft të kesh parasysh nazizmin e Holokaustin. Por barazinë nuk e shoh si barazi ekonomike. Mbi të gjitha sikurse e thashë e shoh si barazi dinjiteti por edhe si barazi dijeje, dmth mundësie për dije. Besoj se njerëzit janë më të barabartë me njëri tjetrin kur kanë dije të barabarta kur gjuha që flasin është njëlloj e pasur në fjalë e koncepte sesa kur kanë pasuri të barabarta. Pra mund të them se kërkesa për barazi të njeriut për njeriun, që në një farë kuptimi mund ta quaj edhe kërkesë për barazi të lirisë së njeriut me njeriun më çon tek e majta sepse e majta ndryshe nga e djathta që është edhe më konservatore, beson më shumë tek ky progres.. Sepse tek e fundit, sikurse thotë Xhon Stjuart Mill kur flet për nevojën e barazisë së burrit me gruan: burri nuk mund të jetë i lirë nëse gruaja nuk është e lirë. Në një kuptim më të përgjithshëm ne nuk mund të jemi të lirë nëse të tjerët nuk janë të lirë.

Megjitatë kjo është një temë që kërkon shumë për t’u shteruar, prandaj po e le këtu bisedën me vetëdijen se kam lenë shumë gjëra pa thënë për të shpjeguar pse jam i majtë.

 

Komentet mund t’i beni ne versionin italisht te intervistes

Alban Trungu
Scritto da Alban Trungu Domenica, 21 giugno 2009

Facebook